Nucleus Lab është një iniciativë akademike dhe kreative e Fakultetit të Gjuhës Angleze në UBT, e konceptuar për të zhvilluar praktikat ekstrakurrikulare të studentëve dhe për t’i përgatitur ata për mësimdhënie inovative, reflektuese dhe bashkëkohore.
Punëtoria e radhës, “Creative Reading & Writing – Expanding Creativity Beyond the Classroom”, e përgatitur nga Prof. Assoc. Dr. Alma V. Lama, synon zgjerimin e kompetencave akademike dhe pedagogjike përmes leximit kritik dhe shkrimit kreativ, duke e zhvendosur procesin e të nxënit përtej kornizave tradicionale të klasës.
Studentët lexuan tekste ekzistuese duke personalizuar narrativat, duke i pasuruar ato me përvoja, emocione dhe këndvështrime personale, si dhe duke i zhvilluar më tej përmes shkrimit kreativ. Përmes këtij procesi, ata ndërtuan kuptime të reja, duke e shndërruar leximin në një akt aktiv reflektimi dhe shkrimin në një mjet për shprehje autentike dhe formim profesional.
Kjo qasje i ndihmon studentët të ndërtojnë mendim të pavarur, të zhvillojnë kreativitetin dhe të forcojnë aftësitë e tyre profesionale në fushën e mësimdhënies së gjuhës angleze.
Përmes aktiviteteve të strukturuara akademike dhe kreative, studentët angazhohen në lexim kritik të teksteve, shkrim kreativ përtej modeleve standarde akademike, zhvillim të kompetencave praktike për mësimdhënie, si dhe në ndërlidhjen e qëndrueshme ndërmjet teorisë dhe praktikës në kontekste reale arsimore. Këto përvoja kontribuojnë drejtpërdrejt në formimin e tyre si mësimdhënës të ardhshëm të sigurt, fleksibilë dhe të përgatitur për sfidat e arsimit modern.
Qendra Nucleus promovon një kulturë akademike të bazuar në lexim, shkrim, reflektim dhe bashkëpunim, duke krijuar një hapësirë ku studentët eksperimentojnë, rriten intelektualisht dhe ndërtojnë identitetin e tyre profesional.
