Notarët kosovarë kanë zhvilluar garat e radhës të martën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, ndërsa paraqitjen më të mirë e pati Hana Beiqi.
Beiqi garoi në disiplinën 50 metra stil i lirë, ku u rendit e 13-ta në kualifikime nga gjithsej 22 notare. Ajo e përfundoi garën me kohën 26.72 sekonda, ndërsa për një vend në finale nevojitej koha 25.89 sekonda. Në finale u kualifikuan tetë notaret më të mira.
Në të njëjtën disiplinë garoi edhe Riga Shala, e cila e përfundoi garën në vendin e fundit, me kohën 28.11 sekonda.
Te meshkujt, në 50 metra stil i lirë garoi Dior Krasniqi. Ai u rendit i 18-ti dhe i fundit nga notarët që morën pjesë, me kohën 24.97 sekonda. Për krahasim, notari i parafundit regjistroi kohën 23.93 sekonda, ndërsa koha e fundit që siguronte kualifikimin në finale ishte 22.73 sekonda.
Ndërkohë, Erina Idrizaj garoi në disiplinën 100 metra shpinë dhe u rendit e nënta nga 11 notare. Ajo regjistroi kohën 1:08.56, ndërsa për finale nevojitej të ishte në mesin e tetë më të mirave. Notarja e fundit që siguroi finalen kishte kohën 1:04.33.
Megjithatë, Idrizaj arriti të lërë pas notare nga Libani dhe Shqipëria.
Paraqitjet e notarëve kosovarë vazhdojnë në ditët në vijim, me synimin për rezultate sa më të mira në “Taranto 2026”.
D.L
