UBT News

Norvegjezët festuan avancimin në fazën nokaut me festën virale vikinge

Fitoren ndaj Senegalit, e cila ia siguroi Norvegjisë kualifikimin në fazën nokaut të Kupës së Botës, futbollistët norvegjezë e festuan në mënyrë të veçantë dhe spektakolare.

Pas ndeshjes, lojtarët dhe stafi teknik u rreshtuan në dhjetë radhë brenda zonës së penalltisë në skajin verior të stadiumit MetLife Stadium, përballë tifozëve të tyre të veshur me fanellat e kuqe të kombëtares.

Në krye të grupit ishte sulmuesi Erling Haaland, ndërsa kapiteni Martin Ødegaard i binte një daulleje “bongo”. Të gjithë së bashku interpretuan festën e njohur vikinge, në koordinim me tifozët.

Kjo festë realizohet duke thirrur “Ro” dhe duke imituar lëvizjet e vozitësve në një varkë, një ritual që është bërë simbol i unitetit mes ekipit dhe tifozëve.

“Të gjithë e kemi parë në internet dhe është bërë plotësisht virale. Martin më tha para ndeshjes: ‘Çfarë mendon? A duhet t’u bashkohemi?’”, ka treguar Haaland, i cili shënoi dy gola në fitoren 3:2 të Norvegjisë.

“Thashë me vete: nëse fitojmë, pse jo? Dhe ja ku jemi. Mendoj se ishte momenti i përkryer për ta bërë këtë”, shtoi superylli norvegjez.

Festa vikinge ka fituar popullaritet të madh në Norvegji. Javën e kaluar, madje edhe deputetët e parlamentit norvegjez e realizuan atë në shenjë mbështetjeje për kombëtaren në Botëror.

“Ishte argëtuese”, u shpreh selektori i Norvegjisë, Ståle Solbakken.

D.L

Foto: Reuters

Exit mobile version