UBT News

“Northern Echoes” sjell në Pejë një takim artistik mes Kosovës dhe Norvegjisë

Kori Siparantum do të mirëpresë në Kosovë një nga ansamblet më të vlerësuara korale të Norvegjisë, Defrost Youth Choir, në kuadër të koncertit të përbashkët “Northern Echoes”, që do të mbahet më 30 korrik, duke filluar nga ora 20:30, në Kishën Katolike “Shën Katerina” në Pejë.

Koncerti do të bashkojë dy tradita të ndryshme muzikore në një mbrëmje artistike, ku estetika nordike do të ndërthuret me identitetin muzikor shqiptar.

Nën drejtimin e dirigjentit Thomas Caplin, Defrost Youth Choir njihet për interpretimet e rafinuara, qasjen inovative ndaj muzikës korale dhe sukseset në skenën ndërkombëtare.

Ndërkohë, Siparantum Choir, i drejtuar nga Memli Kelmendi, do të interpretojë vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe botërorë, duke vazhduar promovimin e kulturës muzikore të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Organizatorët e cilësojnë “Northern Echoes” si një takim kulturash dhe vizionesh artistike, që dëshmon fuqinë e muzikës për të lidhur popujt përtej kufijve. Të gjithë dashamirët e muzikës korale janë të ftuar të marrin pjesë në këtë mbrëmje të veçantë koncertale./A.K/

Exit mobile version