UBT News

Nord Stream 1: Rusia mbyll tubacionin kryesor të gazit për në Evropë

Rusia ka ndërprerë plotësisht furnizimin me gaz në Evropë përmes një tubacioni të madh, duke thënë se nevojiten riparime.

Gjiganti shtetëror rus i energjisë tha se kufizimet në gazsjellësin Nord Stream 1 do të zgjasin për tre ditët e ardhshme.

Ky shtet tashmë ka reduktuar ndjeshëm eksportet e gazit nëpërmjet tubacionit dhe hedh poshtë akuzat për përdorimin e furnizimeve me energji si një mënyrë për të ndëshkuar vendet perëndimore për vendosjen e sanksioneve mbi pushtimin e Ukrainës.

Tubacioni Nord Stream 1 shtrihet 1 mijë e 200 kilometra nën Detin Baltik nga bregu rus pranë Shën Petersburgut deri në Gjermaninë verilindore. Ai u hap në vitin 2011 dhe mund të dërgojë maksimum 170 milionë metra kub gaz në ditë nga Rusia në Gjermani.

Tubacioni u mbyll për dhjetë ditë në muajin korrik – përsëri për riparime, sipas Rusisë – dhe kohët e fundit ka funksionuar me vetëm 20% kapacitet për shkak të asaj që Rusia e përshkruan si pajisje me defekt.

Udhëheqësit evropianë kanë frikë se Rusia mund të zgjasë ndërprerjen në një përpjekje për të shtrenjtuar çmimet e gazit, të cilat tashmë janë rritur me 400%.

Rritja e madhe kërcënon të krijojë një krizë të kostos së jetesës gjatë muajve të dimrit, duke i detyruar potencialisht qeveritë të shpenzojnë miliarda për të lehtësuar barrën.

Të martën, ministrja franceze e Energjisë, Agnes Pannier-Runacher, akuzoi Rusinë se “përdor gazin si armë lufte”. Ajo po fliste pasi Gazprom tha se do të pezullonte dërgesat e gazit për kompaninë franceze të energjisë Engie.

Por, zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin ka hedhur poshtë akuzat dhe ka insistuar se sanksionet perëndimore kanë shkaktuar ndërprerjet duke dëmtuar infrastrukturën ruse. Ai këmbënguli se “problemet teknologjike” të shkaktuara nga sanksionet perëndimore janë e vetmja gjë që e pengojnë Rusinë të furnizojë gaz nëpërmjet tubacionit, pa specifikuar se cilat ishin problemet.

Polemika më e fundit ka qenë mbi një turbinë që mbërriti në Gjermani pasi u riparua në Kanada dhe të cilën Rusia refuzoi ta merrte përsëri, duke argumentuar se ishte subjekt i sanksioneve perëndimore. Gjermania, megjithatë, e mohon këtë.

Në fillim të këtij muaji, Ministri i Ekonomisë Robert Habeck tha se tubacioni ishte plotësisht funksional dhe se nuk kishte probleme teknike siç pretendohet nga Rusia.

Këtë javë, presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, premtoi të ndërhyjë në tregjet e energjisë, duke thënë në një konferencë në Slloveni se ato “nuk janë më të përshtatshme për qëllimin”.

Ne kemi nevojë për një model të ri tregu për energjinë elektrike që me të vërtetë funksionon dhe na kthen në ekuilibër”, tha ajo.

Javën e kaluar, BBC zbuloi se Rusia ka djegur gaz me vlerë rreth 10 milionë dollarë çdo ditë në një fabrikë afër kufirit finlandez. 

Exit mobile version