Nora Gjakova, krenaria e sportit kosovar, ka shkruar edhe një kapitull të ri në historinë e saj të jashtëzakonshme – këtë herë jo me medalje të arta, por me përfaqësim dhe ndikim ndërkombëtar, raporton KosovaPress.
Kampione Olimpike, medaliste botërore dhe evropiane, Nora është tashmë zyrtarisht anëtare e Komisionit të Sportistëve të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF) – një trupë elitare që formëson të ardhmen e këtij sporti në rang global.
IJF ka vlerësuar jo vetëm sukseset e saj sportive, por edhe urtësinë, përkushtimin dhe ndikimin që ajo ka brenda dhe jashtë tatamit. Roli i saj i ri është thelbësor: të jetë zëri i xhudistëve nga e gjithë bota, të shtyjë për politika të drejta dhe të kontribuojë në zhvillimin e xhudos me vizion e integritet.
Ky është një hap historik edhe për Kosovën – për herë të parë një sportiste nga vendi ynë bëhet pjesë e vendimmarrjes në një organizatë kaq të madhe ndërkombëtare.