Studentët e Fakultetit të Shkencave të Ushqimit të UBT-së, në nivelin Bachelor dhe Master, realizuan një vizitë studimore në katër kompani të njohura në Gjilan. Kompanitë e vizituara ishin Floil, RC Cola, Fleksograf, dhe Jaffa Shampion, si pjesë e aktiviteteve mësimore për të lidhur njohuritë teorike me praktikat industriale.
Vizita, e udhëhequr nga profesorët e fakultetit, Violeta Lajqi, Luljeta Ajdini, Sami Makolli, Vlora Rama, Sami Gashi dhe Aulona Sfishta u zhvillua në kuadër të lëndëve që mbulojnë proceset e prodhimit të ushqimeve, menaxhimin e cilësisë dhe trajtimin e mbetjeve.
Për studentët e Shkencave të Ushqimit, kjo vizitë kishte një rëndësi të veçantë, pasi ata mund të shihnin nga afër proceset që përfshijnë prodhimin e vajit, pijeve energjetike, lëngjeve frutash, të gazuara, si dhe prodhimin e paketimeve fleksibile, duke mësuar më shumë rreth menaxhimit të cilësisë dhe kushteve të prodhimit. Ata gjithashtu mësuan se si realizohen analizat dhe si trajtohen mbetjet gjatë prodhimit industrial.
“Floil”, kompania prodhuese e vajit ofroi një mundësi unike për studentët, të cilët ndoqën nga afër të gjithë procesin e prodhimit të vajit, duke filluar nga lënda e parë dhe duke përfunduar me menaxhimin e mbetjeve. Falënderim i veçantë iu dha drejtorit të kompanisë, Berat Mustafa, për mikpritjen dhe mundësinë e ofruar për studentët.
“RC Cola”, teknologu Enis Buca prezantoi me detaje proceset e prodhimit të pijeve energjetike, ujit të vitaminuar dhe çajit të ftohtë, si dhe paketimin e këtyre produkteve. Kjo ishte një mundësi e shkëlqyer për studentët që të kuptonin se si zhvillohen dhe paketohen produktet që konsumohen gjerësisht nga publiku.
“Jaffa Shampion”, teknologia në këtë kompani, Leonita Salihu, i udhëhoqi studentët përmes procesit të trajtimit të lëndës së parë, pasterizimit dhe paketimit aseptik të lëngjeve të frutave. Ky proces është një nga më të rëndësishmit në industrinë e ushqimeve, pasi garanton ruajtjen e cilësisë dhe sigurinë e produkteve.
“Fleksograf” , studentët u njohën me prodhimin e paketimeve fleksibile dhe etiketave për produktet ushqimore, një proces kyç që siguron identifikimin dhe ruajtjen e cilësisë së produkteve ushqimore deri në dorëzimin e tyre te konsumatori.
Kjo vizitë ka qenë një mundësi e shkëlqyer për studentët për të kuptuar më mirë se si zhvillohen dhe menaxhohen proceset e prodhimit të ushqimeve në nivele të ndryshme. Përveç kësaj, ata janë njohur me rëndësinë e menaxhimit të cilësisë, proceset e analizave dhe pastrimit të mbetjeve në industrinë ushqimore.
Në fund, studentët vlerësuan këtë aktivitet si një mundësi të çmuar për t’i afruar ata më shumë me praktikën industriale, duke ndihmuar në zgjerimin e horizontit të tyre profesional. Kjo vizitë ka kontribuar në një më të kuptuar të fushës dhe u ofroi studentëve një përvojë të rëndësishme që do t’i ndihmojë ata në zhvillimin e karrierës së tyre në fushën e Shkencave të Ushqimit./UBTNews/