Nëse shikoni në horizontin e Dubait, mund ta pëlqeni punën e Yahya Jan. Ai është presidenti dhe arkitekti i kompanisë NORR, që ka ndërtuar disa prej monumenteve më të njohura të qytetit, në mesin e tyre edhe hotelet Atlantis dhe Shangri-La.
Tani ai është duke realizuar një nga krijimet e tij më ambicioze. Ky projekt pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2024. Ciel Dubai Marina, që njihet si Ciel Tower, do të ketë më shumë se 1 mijë dhoma dhe suita të shpërndara në 82 kate. Ky pritet të jetë hoteli më i lartë në botë.
Jan është i ngarkuar me projektimin e rrokaqiellit në një ngastër trekëndore toke në Dubai Marina me një sipërfaqe prej vetëm 2500 metrash katrorë – e vogël për një ndërtesë të asaj lartësie.
“Është një pronë që është shumë e dendur”, tha ai për CNN në vitin 2021. “Është sikurse ajo me të cilën do të përballeshit në Manhattan apo Londër. Kufizimet janë të jashtëzakonshme, dhe megjithatë ne duhej ta shtynim atë të funksiononte”.
Sipas zhvilluesit, The First Group, kjo ndërtesë do të ofrojë pamje 360 gradë të qytetit, si dhe të vijës bregdetare dhe monumenteve ikonike si ishulli i krijuar nga njeriu, Palm Jumeirah. Vizitorët gjithashtu do të jenë në gjendje të shohin pamjet nga një pishinë dhe restorante në çati.
Përveçse tërheqës për shqisat, projekti është efikas në energji, duke përdorur 25% më pak energji për ajër të kondicionuar sesa që është tipike për ndërtesa të ngjashme./UBTNews/