UBT News

​Një viktimë dhe 19 raste të reja me HIV në Kosovë në vitin 2025

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se gjatë periudhës janar–korrik 2025 janë regjistruar 19 raste të reja me HIV/AIDS në vend. Prej tyre, 16 raste janë të gjinisë mashkullore, ndërsa 3 të gjinisë femërore. Fatkeqësisht, është shënuar edhe 1 rast vdekjeje si pasojë e AIDS-it.

Sipas statistikave zyrtare, nga viti 1986 deri më 2025, në Kosovë janë regjistruar 234 raste të infektimit me HIV, prej të cilave 53 kanë përfunduar me vdekje si pasojë e zhvillimit të AIDS-it.

Çfarë është HIV dhe si bartet?

HIV është virus që sulmon sistemin imunitar. Nëse nuk trajtohet, ai çon në AIDS – fazën më të rëndë të infeksionit. Edhe pse aktualisht nuk ka shërim, me trajtim të rregullt personat që jetojnë me HIV mund të kenë një jetë të gjatë, të shëndetshme dhe të mos e transmetojnë virusin tek të tjerët.

HIV bartet përmes:

Marrëdhënieve seksuale pa mbrojtje

Përdorimit të përbashkët të shiringave apo gjilpërave

Nga nëna tek fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes apo gjidhënies

HIV nuk bartet përmes: përqafimit, shtrëngimit të dorës, përdorimit të përbashkët të ushqimit, ujit, ajrit apo pickimit të mushkonjave.

Si të mbroheni?

Përdorni kondom gjatë çdo kontakti seksual

Përdorni vetëm mjete sterile për injektim

Testohuni rregullisht në qendrat për këshillim dhe testim vullnetar – shërbime që janë falas, anonime dhe konfidenciale

Ku mund të testoheni?

Klinika Infektive në QKUK

Qendra e Studentëve – UP, Prishtinë

OJQ Labirinti (Prishtinë, Prizren, Gjilan)

CSGD – Prishtinë

IKSHPK inkurajon të gjithë qytetarët të informohen, të testohen dhe të kontribuojnë në parandalimin e përhapjes së HIV-it në vend.

Exit mobile version