Filmi epik “Shoqëria e dëborës”, me të cilin Spanja konkurron këtë vit në Oscar për filmin më të mirë ndërkombëtar, ka për regjisor J. A. Bayona, filmi i të cilit “Jetimorja” i vitit 2007, mbetet një prej më filmave paranormalë më të frikshëm. Por asnjë frikë prej një filmi gotik, nuk i afrohet historisë horror të Fluturimit të Uruguayan Air Force 571, avioni që u rrëzua në Ande në vitin 1972, me të mbijetuarit që rezistuan me dëborë të shkrirë, pak biskota dhe… kanibalizëm. Pavarësisht sensacionalizmit të asaj që ishte një histori e pabesueshme, çdo lloj rrëfimi i saj kërkon respekt, si për të vdekurit, ashtu edhe për të gjallët.
Bayona i përmbush këto standarde, gjë që ndodhur edhe me disa adaptime të tjera që i janë bërë ngjarjes, ku më i miri është filmi “Gjallë”, me regjisor Frank marshall dhe i bazuqar në librin e vitit 1974 me autor Piers Paul Read.
Konsumi i viktimave, u paraqit në atë film si një formë Eukaristie (një krahasim i bërë nga njëri prej të paktën 16 të mbijetuarve) dhe vakti si një lloj sakramenti. Bayona nuk shkon aq larg, edhe pse çështjet e Zotit, mëkatit, dhe pasojave kozmike të asaj që janë duke bërë, debatohen me një thellësi kthjelluese nga ana e aktorëve.
“A do të na falë Zoti?”, pyet njëri. Zoti na ka vendosur këtu, përgjigjet një tjetër; ai do të na e falë atë që na nevojitet të bëjmë. Një i tretë thotë se “Zoti nuk ka fare të bëjë këtu, ky është thjesht fat i keq”. Pyetja që shikuesit detyrohen t’i bëjnë vetes – dhe që është pjesë e asaj që e ka bërë rrëzimin e Avionit 571 një klasik – është: “Çfarë do të bëja unë?” Do të haja, apo do të dorëzohesha? A e përjashton njeriun nga raca njerëzore, konsumi i mishit të njeriut?
Rrëzimi, që ndodh shumë pak pasi ka nisur filmi prej 2 orësh e gjysmë, është alarmues, krahët shkëputen, bishti fluturon më vete (bashkë me shumë njerëz) dhe trupi i avionit rrëzohet në një shpat, para se të ndalet në një luginë të madhe e të mbuluar nga dëbora. Pavarësisht të gjithë dhunës, viktimave dhe intimitetit klaustrofobik të trupit të avionit, që do të bëhet shtëpi për më shumë se dy muaj, një prej momenteve që nuk të shqiten nga mendja ndodh përjashtë, pasi disa prej aktorëve janë larguar disa kilometra nga avioni i rrëzuar.
Ata hedhin sytë pas dhe as nuk mund ta shohin. Eshtë një pikë e vogël në një hapësirë të madhe dëbore dhe ata kuptojnë se avionët e shpëtimit nuk munden, dhe nuk do t’i gjejnë kurrë, sado shpesh që të kalojnë aty, në Andet Perëndimore midis Kilit dhe Argjentinës.
Ndjesia e padukshmërisë dhe parëndësisë që i kaplon – bashkë me faktin që kërkimet janë ndaluar, siç mësojnë në një radio – është po aq e frikshme sa edhe stuhia e dëborës që pothuaj do i varrosë të gjallë.
Bayona, duke punuar me një skenar që e ka shkruar bashkë me Bernat Vilaplana, Jaime Marques dhe Nicolas Casariego, mbivendos aspektet metafizike të “Shoqërisë së Dëborës” me vendndodhjet e rrezikshme, rrethanat pothuaj të pamundura, një prani konstante të vdekjes dhe një universi, që është në mënyrë perverse i heshtur, sa i përket vendimit se kush duhet të jetojë dhe kush duhet të vdesë.
“Eshtë mrekulli”, thotë një nënë aty nga fundi i filmit, pasi është ribashkuar me të birin, i cili i përgjigjet: “Çfarë mrekullie?”
Për pjesëtarët e ekipit të tij atje lart në mal, nuk ishte aspak mrekulli. Ata që mbijetojnë, pyesin veten se si ia dolën.
Udhëtimi i Parrados dhe Cannesas për të gjetur në më fund ndihmë është një tjetër aspekt i frikshëm i rrëfimit. Por gjatësia e filmit të tij është një element thelbësor i mesazhit të Bayonas mbi dëshpërimin dhe shpresën dhe, le ta themi, aftësinë rimëkëmbëse të shpirtit. Njerëzit e pistë, në dhimbje, të djegur nga dielli që shfaqen nga malet janë heronj, edhe pse duken krejt si fantazma./WSJ – Bota.al
- Filmi shfaqet në Netflix nga dita e enjte, 4 janar 2024