Një skulpturë qelqi, që ka brenda ajrin e Antarktikut të vitit 1765, do të paraqitet në një ekspozitë të re gjithëpërfshirëse gjatë një konference kushtuar ndryshimit të klimës.
Artisti dhe skulptori Wayne Binitie do të ekspozojë veprat e artit të porositura rishtas në ekspozitën ”Polar Zero” në Qendrën Shkencore të Glasgout.
Këshilli i Kërkimeve të Arteve dhe Shkencave Humane (AHRC) ka njoftuar një grant prej 101 302 sterlinash për projektin që do të bashkojë shkencën, artin dhe inxhinierinë e klimës për të eksploruar çështjen e ndryshimit të klimës në mënyra të reja.
Ekspozita është organizuar në bashkëpunim me ”British Antarctic Survey” (BAS), ”Royal College of Art” (RCA) dhe kompaninë inxhinierike dhe të projektimit ”Arup”.
Thelbi i ekspozitës do të jetë një skulpturë origjinale xhami që përmban ajër nga 1765, e konsideruar një moment kryesor në revolucionin industrial, i nxjerrë nga një bërthamë akulli në Antarktik që përmbante flluska të vogla ajri.
Binitie ka kaluar pesë vitet e fundit duke bashkëpunuar me shkencëtarët të cilët shpojnë, analizojnë dhe ruajnë cilindrat e akullit nga thellësitë e akullit të Antarktikut, që regjistrojnë ndryshimet e klimës.