UBT News

Një serb arratiset nga Qendra e paraburgimit në Mitrovicë të Veriut, pezullohen 4 zyrtarë

Qendra e Paraburgimit Mitrovicë e Veriut ka njoftuar se dje rreth orës 15:45 një person është arratisur, ndërkohë që Shërbimi Korrektues ka pezulluar nga puna katër zyrtarë, drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë, një mbikëqyrës i lartë dhe dy zyrtarë korrektues në lidhje me rastin.

Policia e Kosovës ka marrë menjëherë masa duke ngritur pika statike të kontrollit në tërë veriun e vendit dhe duke kontrolluar fizikisht zonën për rreth qendrës së paraburgimit, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia ende është në kërkim të personit Gjorgje Radomiroviq (34) nga Novi Pazari i Serbisë, i dënuar për vrasje, ndërsa ka angazhuar edhe njësi të specializuara, njësia Policore me qen- K9.

Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët që nëse hasin personin në foto të raportojnë në numrin 192 ose në stacionin më të afërt.

I burgosuri ishte i dënuar me 14 vjet e gjysmë burg nga të cilat i kishin mbetur edhe tri vjet e shtatë muaj. Ai në momentin e arratisjes, ishte duke punuar në hapësirat e punëtorisë së institucionit. Gjithashtu, ai ishte në listën e të dënuarve që mund të përfitonin lirimin me kusht.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka nisur hetimet e brendshme për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Deri në përfundimin e hetimeve, drejtori i institucionit, një mbikëqyrës i lartë dhe dy zyrtarë korrektues mbeten të pezulluar nga detyra.

Exit mobile version