Një robot humanoid kinez ka hyrë në Librin e Rekordeve Guinness pasi përfundoi me sukses një udhëtim tre-ditor prej 66 miljesh (rreth 106 kilometra) – distanca më e gjatë ecur ndonjëherë nga një robot i këtij lloji.
AgiBot A2, me lartësi rreth 1.68 metra, nisi rrugëtimin në mbrëmjen e 10 nëntorit nga qyteti Suzhou. Gjatë ecjes ai përshkoi autostrada dhe rrugë urbane, përpara se të mbërrinte në Bund, zonën historike të Shanghait, më 13 nëntor, sipas njoftimit të Rekordeve Botërore Guinness.
Kompania AgiBot, me seli në Shanghai, deklaroi se roboti i tyre përshkoi terrene të ndryshme dhe respektoi rregullat e trafikut gjatë gjithë udhëtimit të pandërprerë prej 66 miljesh.
Në pamjet e publikuara nga kompania, modeli A2 me ngjyrë argjendtë e të zezë shfaqet duke ecur përgjatë rrugëve pranë biçiklistëve dhe drejtuesve të skuterëve, ndërsa në momentet e fundit të udhëtimit ai shpejton ritmin dhe ecën përgjatë zonës së Bundit. /A.Z/UBT News/
