Dy muaj pasi ra në duart e trupave ruse, qyteti lindor i Ukrainës, Popasna, që dikur ishte shtëpia e 20 mijë banorëve, është shndërruar në një qytet fantazmë me pak shenja jete.
Trupat ukrainase u tërhoqën nga Popasna në maj, pasi forcat ruse filluan një ofensivë përgjatë pjesës më të madhe të krahut lindor të Ukrainës, me sulme intensive dhe granatime rreth qytetit në rajonin e Luhanskut.
Në një vizitë në Popasna të enjten nga një gazetar i Reuters, qyteti dukej i shkretë, me pothuajse të gjitha ndërtesat e apartamenteve ose të shkatërruara ose të dëmtuara rëndë. Rrugët nuk mbanin asnjë shenjë njerëzish apo kafshësh.
Një ish-banor, Vladimir Odarchenko, qëndroi në shtëpinë e tij të dëmtuar dhe vëzhgoi mbeturinat e shpërndara në dysheme.
“Unë nuk e kam idenë se çfarë do të bëj. Ku të jetoj? Nuk e di. Vera është mirë, unë mund të marr me qira një apartament të vogël, nëse kam mjaftueshëm para“, tha ai për Reuters, përcjell UBTNews.
Rusia ka vazhduar të godasë Ukrainën lindore në përpjekje për të marrë kontrollin e rajonit të Donbasit. Moska në fillim të këtij muaji pushtoi provincën Luhansk, e cila është pjesë e Donbasit.
Rusia nisi atë që e quajti “operacionin e saj të posaçëm ushtarak” kundër Ukrainës më 24 shkurt, për të cilin Perëndimi thotë se është një luftë agresioni e paprovokuar.
Konflikti ka shkatërruar qytetet e Ukrainës dhe ka bërë që 5.2 milionë njerëz të ikin nga vendi, sipas Kombeve të Bashkuara. /UBTNews/