Më datë 24 maj në ora 11:00 në Teatrin Debussy do të shfaqet premiera e filmit të shkurtër, “Rrugës”, i cili përfaqëson Kosovën në konkurrencën kryesore të Festivalit të Kanës.
Filmi i ri nga regjisori Samir Karahoda është përzgjedhur zyrtarisht për garën e filmave të shkurtër në edicionin e 77-të të Festivalit të Kanës. Kjo është hera e dytë që një film në regji të Karahodës përzgjedhet për garën zyrtare të Festivalit më prestigjioz në botë, pas suksesit të filmit “Pa Vend” në vitin 2021. Nga një pool prej 4,420 filmave, “Rruga” është përzgjedhur mes 11 filmave të shkurtër nga 11 shtete që do të konkurojnë këtë vit.
Rishfaqja e këtij filmi do të mbahet më 25 maj në Teatrin Bunuel, fillimisht në ora 14:00.
“Rrugës”, përshkruan udhëtimin e një babai dhe djali të tij në rrugën drejt aeroportit për të marrë një dhuratë të dërguar nga jashtë nga kumbari i djalit. Në këtë rrugë, ata ballafaqohen me pengesa burokratike dhe një perspektivë të pakëndshme për ndryshime reale politike dhe sociale në vendin e tyre, por gjejnë ngushëllim dhe forcë në optimizmin e tyre për të ardhmen.
Skripti i “Rrugës” është shkruar nga vetë Samir Karahoda dhe djali i tij, Mironi, duke integruar tregime personale dhe elemente autobiografike, që reflektojnë shqetësimet e tyre për të ardhmen e vendit. Nëpërmjet këtij udhëtimi të shkurtër, ata eksplorojnë lidhjen e tyre mes sfidave shoqërore dhe pasigurisë që përjetojnë në atdheun e tyre.
“Rrugës”, është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Televizioni Kulturor Europian ‘ARTE’, dhe Televizioni Finlandez ‘Yle’./UBTNews/