UBT News

Një person humb jetën në vendin e punës, policia e cilëson si vdekje e dyshimtë

Një person ka vdekur në vendin e punës në Skenderaj, ku në këtë rast Policia e Kosovës e ka cilësuar si “vdekje e dyshimtë”. Sipas njoftimit policor të martën rreth orës 16:00, policia në Skenderaj është njoftuar se një person kishte probleme shëndetësore dhe gjendej i shtrirë në vendin e punës në rrugën “17 Shkurti” në Skenderaj.

Gjithashtu ata thanë se është njoftuar menjëherë emergjenca mjekësore dhe në vendin e ngjarjes kishte shkuar një ekip mjekësore dhe njësitë policore.

“Mjeku kujdestar kishte konfirmuar vdekjen e personit në vendin e ngjarjes. Personi pa shenja jete është i moshës 44 vjeçare”, njoftoi Policia.

Më tej thuhet se në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Njësisë Rajonale të Hetimeve dhe të krim teknikës e po ashtu edhe inspektorët e punës të cilët kanë kryer veprimet hetimore dhe procedurat e nevojshme ligjore.

“Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ndërsa iniciohet rasti dhe hetimet do të vazhdojnë për ndriçimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Për këtë ngjarje tragjike ka reaguar edhe kryetari i Skenderajt, Fadil Nura.

“Për shkak të vdekjes së papritur të bashkëqytetarit tonë, të riut Robert Veliu, ish-basketbollist profesionist, dhe në respek të thellë ndaj familjes së pikëlluar Veliu, programi i sotëm muzikor në festival anulohet. I shpreh ngushëllimet më të thella familjes Veliu, shokëve dhe dashamirëve”, ka shkruar Nura.

Pak ditë më parë, dy persona vdiqën në vendin e tyre të punës  në Gjakovë duke rënë nga kati i tretë i një objekti i cili ishte në ndërtim.

 

 

 

 

Exit mobile version