Qindra violina dhe kontrabase me tingujt e tyre pushtuan Akademinë Ushtarake të Venezuelës.
Mijëra muzikantë, kryesisht fëmijë dhe adoleshentë u bashkuan me një qëllim: të krijojnë orkestrën më të madhe në botë.
Muzikantët, të gjithë nga rrjeti i orkestrave rinore të vendit, performuan një pjesë afërsisht 10-minutëshe të Çajkovskit ‘Marshimi Sllav’.
Më shumë se 8.097 instrumente luajtën njëkohësisht. Rrjeti muzikor i vendit, i njohur si “El Sistema”, kishte shpresuar të mblidhte 12.000 muzikantë.
Libri i Rekordeve Botërore Guinness do të përcaktojë brenda 10 ditëve nëse është vendosur një rekord.
“Është padyshim e mrekullueshme të shohësh rezultatin e ëndrrës së maestro Abreut – e cila filloi 46 vjet më parë, dhe sot është e shpërndarë në të gjithë vendin. Vendi është mbushur plot me orkestra. Dhe sot, ne po shohim një përfaqësim minimal të asaj që ne jemi. Janë 1.012.000 fëmijë dhe të rinj në El Sistema”, u shpreh dirigjenti Andres David Ascanio Abreu.
Muzikantët, nga mosha 12 deri në 77 vjeç të veshur me pantallona të zeza, këmisha të bardha dhe maska anti-COVID, provuan të kapin rekordin.
Repertori përfshinte pjesët “Venezuela” të Pablo Herreros dhe himnin kombëtar të Amerikës së Jugut dhe “Alma Llanera” të cilin venezuelasit e konsiderojnë himnin jozyrtar të kombit të tyre.