Vatikani ka nënshkruar një marrëveshje për kthimin e tri fragmenteve të skulpturës që kanë qenë pjesë e koleksionit të përhershëm të Muzeut të Vatikanit në 200 vjetët e fundit.
Zyrtarët e Selisë së Shenjtë kanë dhënë edhe një afat kohor për riatdhesimin e tyre gjatë këtij muaji, sipas një njoftimi për shtyp. Me këtë vendim mund të rritet presioni ndaj Muzeut të Britanisë së Madhe për t’i kthyer mermerët e Partenonit në zotërim të tij, pas dekada grindjesh me autoritetet greke.
Zyrtarët nënshkruan marrëveshjen për dhurimin e fragmenteve 2 mijë e 500-vjeçare, ku shfaqet koka e një kali, koka e një burri me mjekër si dhe koka e një djali – në një ceremoni të veçantë në Vatikan, ku morën pjesë figura të shquara, në mesin e tyre edhe Barbara Jatta, drejtoresha e Muzeut të Vatikanit.
Gjatë muajit dhjetor, Vatikani njoftoi rreth planeve për t’i kthyer skulpturat, pas takimit që Papa Françesku pati me Ieronymos II, kryepeshkopin e Athinës dhe Greqisë, dhe kreun e Kishës Ortodokse të Greqisë, në vitin 2021./UBTNews/