Një nga portretet ikonike të Marilyn Monroe që u realizua nga Andy Warhol është bërë vepra arti më e shtrenjtë e shekullit të 20-të që ka dalë ndonjëherë në ankand. “Shot Sage Blue Marilyn”, një nga dhjetëra imazhet që artisti e realizoi për Monroe në vitet 1960, u shit për një çmim rekord prej 195 milionë dollarësh në Christie’s në New York, të hënën mbrëma.
Portreti u shfaq në disa galeri, përfshirë Muzeun Guggenheim në New York, Qendra Pompidou në Paris dhe në Londër. Shtëpia e ankandit tha se priste oferta prej 200 milionë dollarësh.
“Shot Sage Blue Marilyn”, ndërkohë ishte në pronësi të një sërë galeristësh dhe koleksionistësh të profilit të lartë para se të blihej nga tregtari i ndjerë zviceran i artit, Thomas Ammann. Portreti u ofrua në ankand nga Fondacioni Thomas and Doris Ammann Cyrih, organizata bamirëse e krijuar në emrin e tij (dhe motrës së tij), e cila do të përdorë të ardhurat për të financuar programe shëndetësore dhe arsimore për fëmijët në mbarë botën, sipas një njoftimi për shtyp./UBTNews/