Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy prindërve me inicialet A.K. dhe V.P., të cilët dyshohen për keqtrajtimin e djalit të tyre pesëvjeçar.
Vendimi u mor nga Departamenti i Përgjithshëm pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, ku gjyqtarja e procedurës paraprake konstatoi se caktimi i kësaj mase është i nevojshëm në këtë fazë të procesit.
Mbi të pandehurit rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkelja e detyrimeve familjare” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.
Ngjarja ka marrë vëmendje të madhe në publik për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore në të cilën është gjetur i mituri.
Sipas raportimeve, fëmija është dërguar me urgjencë në Klinikën e Pediatrisë, ku aktualisht po trajtohet në repartin e Kujdesit Intensiv.
Mjekët kanë konstatuar se 5-vjeçari ka plagë të rënda në të dyja shputat e këmbëve, të cilat kanë pësuar ndryshime të theksuara gangrenoze, ndërsa dyshohet se i vogli ka vuajtur edhe nga kequshqyerja dhe ka vështirësi të theksuara në komunikim.
Pas arrestimit dhe ndalimit fillestar prej 48 orësh, dy prindërit do të qëndrojnë në paraburgim për 30 ditë, periudhë gjatë së cilës do të vazhdojnë hetimet e mëtutjeshme mbi rrethanat e këtij rasti të rëndë.
Sipas procedurave ligjore, palët e pakënaqura gëzojnë të drejtën e ankesës ndaj këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit, e cila duhet të dorëzohet përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
