Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për A.D., ish-pjesëtar i MPB-së së Serbisë, i cili dyshohet për krime lufte kundër popullsisë civile në rajonin e Kaçanikut gjatë marsit të vitit 1999.
Sipas Prokurorisë Speciale, i dyshuari në bashkëkryerje me forcat serbe mori pjesë në dëbimin e dhunshëm të banorëve të fshatit Ivajë dhe djegien e shtëpive të tyre. Ai gjithashtu akuzohet për torturimin brutal dhe trajtimin çnjerëzor të 13 civilëve shqiptarë brenda stacionit policor në Kaçanik.
Ndërsa autoritetet në Serbi e kanë cilësuar arrestimin si “politik”, drejtësia në Kosovë ka intensifikuar kohët e fundit ndjekjen e krimeve të luftës, ku vetëm gjatë muajit mars u dënuan dy ish-pjesëtarë të tjerë të forcave serbe me 15 dhe 7 vite burgim. Prej përfundimit të luftës, ku u vranë mbi 13 mijë civilë, dhjetëra persona janë dënuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit.
