UBT News

Një muaj paraburgim për Fehim Salin, i dyshuar për spiunazh

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji shtetasit të Kosovës, Fehim Sali, pas arrestimit të tij në pikën kufitare në Merdar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.

Vendimi erdhi pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, sipas së cilës i pandehuri i ka ofruar vazhdimisht informacione dhe ndihmë Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA) me qëllim përfitimin material.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, Sali i ka ofruar BIA-s të dhëna mbi situatën politike në Kosovë, ka fotografuar dhe identifikuar zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si dhe ka mbledhur informacione për persona që i përkasin sektit vehabi, duke i propozuar disa prej tyre si objektiva për rekrutim nga shërbimi serb.

Gjatë procesit hetimor, i dyshuari ka pranuar veprimet e tij:

“Dyshimi i bazuar mirë u vërtetua edhe nga deklarata e vet të pandehurit i cili në detaje përshkruan veprimet e tij inkriminuese, duke ofruar mënyrat dhe vendtakimet e komunikimit dhe ofrimit të informacioneve dhe ndihmën për BIA-n serbe”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria ka vlerësuar se masa e paraburgimit është e domosdoshme për të parandaluar rrezikun e arratisjes — marrë parasysh se i dyshuari posedon edhe shtetësi serbe — si dhe për të shmangur dëmtimin apo zhdukjen e provave.

Në kuadër të hetimeve, Policia e Kosovës ka kryer një bastisje në vendbanimin e të dyshuarit në Komunën e Dragashit. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 39,500 euro para të gatshme, 500 dinarë serbë dhe katër telefona celularë.

I dyshuari, i cili është i angazhuar në sistemin arsimor paralelm serb në Kosovë, më parë ka shërbyer si përfaqësues i komunitetit goran në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Presidencës së Kosovës për dy mandate (2020–2024). Nga ky post ai u shkarkua më 3 maj 2024, pas një raporti të konfidencial nga institucionet e sigurisë.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e spiunazhit dënohet me së paku pesë vjet burgim. /E.A/

 

Exit mobile version