UBT News

Një moment kthese për rrjetet sociale: Çfarë e pret teknologjinë pas vendimit historik për varësinë?

Një juri në Los Anxhelos ka dhënë një vendim dënues për dy nga platformat digjitale më të njohura në botë, Instagram dhe YouTube, duke konfirmuar se këto aplikacione janë krijues varësie dhe janë projektuar qëllimisht në atë mënyrë.

Gjykata doli në përfundimin se pronarët e tyre kanë qenë neglizhentë në mbrojtjen e fëmijëve që i përdorin ato, duke shënuar një moment të rëndë për Silicon Valley me implikime globale. Gjigantët teknologjikë në këtë rast, Meta dhe Google, tani duhet të paguajnë 6 milionë dollarë dëmshpërblim për një grua të re të njohur si Kaley, viktima në qendër të këtij rasti, e cila pohoi se platformat i shkaktuan dismorfi trupore, depresion dhe mendime vetëvrasëse.

Megjithëse të dyja kompanitë synojnë të apelojnë — me Metën që pretendon se një aplikacion i vetëm nuk mund të jetë përgjegjës për krizën e shëndetit mendor te adoleshentët dhe Google që thotë se YouTube nuk është rrjet social — vendimi do të thotë se “epoka e pandëshkueshmërisë ka mbaruar”, sipas Dr. Mary Franks, profesore e ligjit në Universitetin George Washington.

Ky vendim konsiderohet si një moment kthese që do të ripërcaktojë peizazhin e mediave sociale dhe mund të jetë fillimi i fundit të kësaj epoke ashtu siç e njohim ne. Ndërsa përdoruesit e rregullt mund të mos jenë tronditur, kompanitë teknologjike duket se u kapën në befasi, duke shpenzuar shuma marramendëse për tarifa ligjore.

Dy kompanitë e tjera në gjyq, TikTok dhe Snap, pronar i Snapchat, zgjodhën të bënin marrëveshje jashtë gjykatës para se të niste procesi, mes zërave se nuk mund ta përballonin dot këtë betejë. Pavarësisht prezantimeve të shumta nga rrjetet sociale mbi mjetet që ofrojnë për prindërit për të mbrojtur fëmijët, gjykata vendosi se këto masa nuk ishin të mjaftueshme.

Arturo Bejar, i cili dikur punonte në Instagram, deklaroi se e kishte paralajmëruar Mark Zuckerbergun për rreziqet që u kanoseshin fëmijëve vite më parë, duke thënë se aplikacioni ndryshoi nga “një produkt që e përdorni ju, në një produkt që ju përdor juve”.

Ekspertët e kanë përshkruar këtë vendim si momentin “Big Tobacco” të teknologjisë, duke bërë analogji me industrinë e duhanit, gjë që mund të çojë në paralajmërime shëndetësore në ekrane apo kufizime të reklamave.

Aktualisht, këto kompani mbrohen ligjërisht në SHBA nga “Neni 230”, i cili i liron nga përgjegjësia për përmbajtjen që publikohet në to — një mburojë pa të cilën shpesh thuhet se industria nuk do të mbijetonte. Megjithatë, skeptikët ndaj kësaj mbrojtjeje po shtohen, sidomos pas dëgjimit të fundit në Komitetin e Tregtisë të Senatit të mërkurën. /BBC/

 

Exit mobile version