Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë ka përkujtuar sot, në ditëlindjen e saj, konteshën hungareze Geraldina Apponyi (1915-2002), e cila u bë mbretëresha e Shqiptarëve.
Geraldina Apponyi lindi në një familje të njohur hungareze, e cila kishte origjinë që nga periudha e Mesjetës. Familja e saj ishte e përfshirë në krijimin e monarkisë hungareze nën dinastinë arpadiane, pas pushtimit të Hungarisë nga arpadët në vitin 894. Për shkak të vdekjes së herëshme të prindërve, Geraldina u rrit nën kujdesin e gjyshërve të saj në Hungari, derisa u dërgua në një shkollë angleze në Menton të Francës për t’u edukuar.
Pas kësaj, ajo vazhdoi studimet në kolegjin “Sacred Heart” në Pressbaum, pranë Vjenës në Austri, ku mbaroi Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Financiare. Geraldina Apponyi ishte e angazhuar në disiplina të ndryshme akademike si skenografia, sociologjia, historia dhe letërsia.
Në një periudhë të shkurtër që kaloi në Shqipëri, Geraldina Apponyi u angazhua në ndihmën e shtresave në nevojë. Ajo kontribuoi në ngritjen dhe funksionimin e institucioneve për shërbim të shtresave të varfra, duke përfshirë spitalet, azilet dhe jetimoret. Ajo gjithashtu punoi për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e grave, si dhe për të përmirësuar kushtet e tyre jetësore dhe për emancipimin e tyre në shoqëri.
Konteshë Geraldina Apponyi mbetet një figurë e rëndësishme historike për Shqipërinë, për kontributin dhe angazhimin e saj në ndihmë të shoqërisë shqiptare në periudhën e saj të qëndrimit në vend./UBTNews/