Jennifer Lopez ka folur hapur për emocionet që po përjeton ndërsa binjakët e saj 17-vjeçarë, Max dhe Emme, fëmijët që ajo ka me ish-bashkëshortin Marc Anthony, po përgatiten të nisin një kapitull të ri të jetës – studimet universitare.
Në një intervistë për emisionin “Live with Kelly and Mark”, këngëtarja dhe aktorja 56-vjeçare tregoi se, përveç promovimit të filmit të saj më të ri “Kiss of the Spider Woman”, po shfrytëzon kohën e lirë për të vizituar kolegje së bashku me fëmijët.
“Po, është e çmendur,” – tha ajo me buzëqeshje. “Mes promovimeve dhe premierave, po vizitojmë kolegje. Është duke ndodhur – po ikin, po largohen, dhe është e pabesueshme.”
Edhe pse ndjen trishtim për largimin e tyre, Lopez e sheh këtë periudhë si një hap të natyrshëm dhe të bukur për fëmijët:
“Jam e lumtur, sepse më kujtohet sa emocionuese ishte ajo periudhë për mua, kur pyesja veten ‘Çfarë dua të bëj me jetën time?’ Është një aventurë e bukur, dhe dua ta përjetojnë edhe ata. Por, nga ana tjetër, mendoj: ‘Oh, do të jem vetëm.’”
E pyetur nëse është gati për këtë fazë të re, Lopez pranoi se ndjen përzierje emocionesh, por shpreson që Max dhe Emme të ndihen gjithmonë të tërhequr për t’u kthyer në shtëpi.
“Gjithmonë kam dashur të krijoj një shtëpi ku ata duan të kthehen,” tha ajo. “Një vend ku thonë: ‘Kur shkoj në shtëpi, ndihem mirë.’ Ka aromën, shijen dhe ndjesinë e shtëpisë. Këtë kam dashur të ndërtoj me ta – dhe besoj se e kemi arritur.”
Lopez pranoi se marrëdhënia e saj me fëmijët nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, por sot janë më të afërt se kurrë:
“Para disa vitesh kaluam një periudhë të vështirë,” rrëfeu ajo. “Por tani janë 17 vjeç, do të bëhen 18 në shkurt, diplomohen në qershor, dhe ndiej se kemi krijuar një lidhje shumë të fortë – një treshe e bashkuar. Kemi kaluar shumë bashkë, dhe kjo na ka ndryshuar për mirë.”
Pavarësisht karrierës së saj të suksesshme në muzikë, film dhe biznes, Jennifer Lopez theksoi se roli i nënës mbetet më i rëndësishmi për të – ai që e mban me këmbë në tokë dhe i jep kuptim çdo gjëje tjetër. /A.Z/UBT News/