Një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e një therjeje me thikë që ndodhi mbrëmjen e së martës në Mitrovicën e Jugut.
Policia njoftoi se viktima është një 37-vjeçar, i cili nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Ndërkohë, një person tjetër u lëndua nga i njëjti i dyshuar dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa gjendja e tij raportohet të jetë jashtë rrezikut për jetën, raporton Ekonomia online.
Sipas policisë, rasti është raportuar rreth orës 22:00, pasi një person i plagosur me mjet të mprehtë ishte dërguar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës së Jugut. Mjeku kujdestar konfirmoi se 37-vjeçari kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve.
I dyshuari, një 31-vjeçar, është arrestuar nga policia dhe me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar./Ekonomia online.
