UBT News

Një i vdekur dhe katër të lënduar në një vetaksident në Klinë

Një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një vetaksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Dollc të Klinës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 04:55 të mëngjesit, me ç’rast në vendngjarje kanë dalë menjëherë njësitet kompetente të Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor (NJRKRR).

“Si pasojё e kёtij vetaksidenti njё person ka pёsuar me fatalitet, vdekjen e sё cilit e ka konstatuar ekipi mjekёsor nё vendin e ngjarjёs, ndёrsa katёr tё tjerё janё dёrguar nё Spitalin Rajonal nё Pejё pёr tretman mjekёsor. Të njëjtit, sipas mjekёve, janё jashtë rrezikut pёr jetё”, thuhet në njoftimin e policisë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan deri te ky vetaksident.

 

Exit mobile version