UBT News

​Një i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it e policisë kapet pasi hyn nga Serbia në Kosovë

Një person i dyshuar me inicialet Lj.M. është dërguar në mbajtje për 48 orë nën dyshimet se ka qenë pjesë e sulmit ndaj misionit KFOR dhe Policisë së Kosovës para objektit komunal të Zveçanit më 29 maj 2023, pak kohë pasi kishte hyrë nga Serbia në Kosovë.

Lidhur me rastin është informuar Prokuroria Speciale dhe në koordinim me Prokurorinë Speciale, duke konsideruar peshën e veprave të kryera dhe rrezikun potencial për arratisje pasi që i dyshuari punon dhe qëndron në Serbi, si dhe mundësinë për manipulimin apo zhdukjen e provave, Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime për ndalimin e tij si dhe sigurimin e prezencës së tij në procedurën penale që zhvillohet ndaj tij, lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë.

I dyshuari është ndaluar nga Policia e Kosovës në Komunën e Zveçanit dhe me qëllim të sigurimit të provave dhe dëshmive, është realizuar kontrolli në shtëpinë e tij.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një telefon uniforma të ndryshme ushtarake, dy USB, dhe një fanellë me mbishkrim nacionalist, të cilën dyshohet se e ka pasur të veshur ditën kritike.

I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit dhe të përkthyesit dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Po ashtu, me vendim të prokurorit është iniciuar rasti për veprat penale “bashkim për veprimtari kundër kushtetuese, me qellim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës se Kosovës, rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, sulm ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm.

Exit mobile version