Teatri i Ri po ndërtohet në Tiranë me një ritëm të mirë dhe pritet të përfundojë në vitin 2025, sipas kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj. Gjatë inspektimit të kantierit, Veliaj theksoi se ky teatër do të shërbejë për qytetin për 100-200 vitet e ardhshme, dhe se projekti është vonuar për shkak të 30 viteve të humbura në fazat e projektimit dhe vizionit.
“Kur je në kantier kupton se po flasim për një objekt të përmasave madhështore, që do të jetë këtu për Tiranën e 100 apo 200 viteve të ardhshme. Sot jemi në fazën e ndërtimit, por të mos harrojmë se kemi humbur 30 vite për dy fazat e tjera, të projektimit dhe vizionit. E di që kemi një cirk konstant nga një grup klounësh, që vazhdon të djegë goma nën suazën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, kur në fakt të gjithë e dinë se ajo është Aleanca për Mbrojtjen e Saliut. Rrugaçëria, djegia e gomave, goditja ndaj forcave të Policisë, dëmtimi i një objekti që është monument kulture si selia e bashkisë së Tiranës, që nuk është prona ime, të gjitha këto nuk kanë lidhje me teatrin. Ky është një cirk i shëmtuar, është bërë shumë bajat dhe banal’, theksoi Veliaj dhe transmeton Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Ai kritikoi ashpër ata që protestojnë kundër ndërtimit të teatrit, duke i quajtur “një grup klounësh” që djegin goma dhe krijojnë tensione, duke pretenduar se veprimet e tyre nuk kanë lidhje me teatrin. Veliaj theksoi se qyteti i ka braktisur këta protestues dhe mezi pret ndërtimin e Teatrit të Ri, i cili do të ketë kushte të mira për aktorët dhe qytetarët, përfshirë kondicionerë, ngrohje dhe dhoma personale për aktorët.
Projekti përfshin gjithashtu një parkim nëntokësor dhe hapësira teknike për skenën qendrore. Veliaj tha se detyra e punonjësve është të përqendrohen në aspektet teknike të ndërtimit dhe jo të shqetësohen për protestat. Ai përmendi se projekte të mëdha në Tiranë gjithmonë janë shoqëruar me kundërshtime, por gjithashtu kanë sjellë ndryshime të mëdha dhe pozitive për qytetin.
“Detyra juaj nuk është të shqetësoheni për djegien e gomave, por të shqetësoheni për inxhinierinë, për pjesën teknike, për ndërtimin dhe betonimin, për ujë, drita, fibrat optike dhe energjia elektrike. Detyra jonë, siç e kërkon edhe ndarja e punëve, është të dëgjojmë edhe për ca kohë atë teatër absurd. Por, mënyra më e mirë për t’i dhënë një përgjigje djegies së gomave dhe banalitetit grotesk që krijohet me këtë ritualin për lirimin e Saliut, është ndërtimi i kësaj vepre”, u shpreh Veliaj.
Gjatë verës, puna për ndërtimin e teatrit do të vazhdojë me tre turne për të shfrytëzuar periudhën kur qyteti është më pak i populluar për shkak të pushimeve./UBTNews/