Një grua nga Mali ka lindur nëntë foshnja, duke shënuar herën e parë që një grua ka sjellë në jetë kaq fëmijë të mbijetuar për një herë.
Halima Cisse, 25-vjeçare ka lindur fëmijët me prerje cezariane më 4 maj në Marok, pasi ka pasur nevojë për trajtim special, kanë njoftuar autoritetet shëndetësore të Malit.
Cisse dhe pesë vajzat e katër djemtë “janë mirë”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë së Malit më 5 maj.
Fëmijët, që peshojnë në mes të 500 gramëve dhe 1 kilogramë, kanë lindur para kohe, në javën e 30-të dhe janë duke u trajtuar nëpër inkubatorë.
Ata pritet të mbesin në spital për të paktën dy muaj.
Dhjetë mjekë dhe 25 pjesëtarë të stafit shëndetësor kanë ndihmuar në procesin e lindjes.
Cisse është në gjendje stabile pas gjakderdhjeve të mëdha, për çka i është dhënë gjak, ka thënë profesori Youssef Alaoui, drejtori i klinikës Ain Borja në qytetin Kasablanka.
Lindje të tilla “janë jashtëzakonisht të rralla”, ka thënë Alaoui.
Rekordin për më së shumti foshnja të lindur për një herë e ka mbajtur gruaja amerikane Nadyja Suleman, e cila më 2009 ka lindur tetë foshnja.
Cisses i është thënë se është duke mbajtur shtatë foshnja.
Mjekët në Mali e kanë dërguar atë në Marok sepse spitalet në Mali, një nga vendet më të varfra në botë, nuk janë të pajisura mirë për të ofruar kujdesin e duhur për shtatzëni të tilla të jashtëzakonshme.