Një grua është gjetur pa shenja jete sot në shtëpinë e saj në fshatin Leshan të Suharekës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se njësitë policore të Suharekës, hetuesit rajonalë të Prizrenit dhe ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Sipas Policisë, informata për rastin është pranuar nga mjeku kujdestar i QKMF-së në Suharekë. Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në IML në Prishtinë për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, është duke zhvilluar hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë, sipas raportimeve mediale, dyshohet se viktima ka humbur jetën si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike. /E.A/
