Një dron rus ka goditur një tren afër kufirit mes Ukrainës dhe Polonisë, pak pasi ish-Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, dhe zyrtarë të lartë të sigurisë evropiane kishin kaluar aty pranë.
Nuk është raportuar për viktima pas sulmit në Jahodin, i cili goditi lokomotivën e trenit. Të gjithë pasagjerët ishin evakuuar, njoftuan autoritetet ukrainase.
Johnson dhe këshilltarë të tjerë të sigurisë kombëtare evropiane, përfshirë Jonathan Powell nga Britania e Madhe, kishin kaluar përgjatë të njëjtës linjë me një tren tjetër, gjatë rrugës së tyre të kthimit nga një konferencë në Kiev.
Rusia tha se kishte goditur “infrastrukturën hekurudhore” në Ukrainën perëndimore, por kompania shtetërore e hekurudhave të Ukrainës “Ukrzaliznytsia” deklaroi se “ka shumë mundësi që objektiv i këtij droni të ketë qenë treni diplomatik”.
Ish-shefi i CIA-s, David Petraeus, i cili ndodhej në bordin e një treni tjetër në stacionin e Jahodinit në kohën e sulmit, e përshkroi incidentin si “të tmerrshëm”.
Në një intervistë për New York Times, Petraeus tha: “Kjo është vepër e një udhëheqësi me të vërtetë barbar që përpiqet të terrorizojë civilët ukrainas.”
Në një deklaratë, “Ukrzaliznytsia” tha se treni diplomatik “ishte larguar nga stacioni më herët se sa parashikohej për shkak të ndryshimit të orarit… si pasojë e kërcënimeve të vazhdueshme për sulme ruse”.
Ajo gjithashtu tha se urdhri për evakuimin e pasagjerëve në trenin e goditur ishte dhënë “vetëm 15 minuta” përpara sulmit nga një dron rus me djegie me reaksion.
Si autoritetet ukrainase ashtu edhe ato polake konfirmuan se droni rus goditi 2 km larg kufirit me Poloninë.
Ish-Kryeministri suedez, Carl Bildt, i cili gjithashtu kishte marrë pjesë në konferencën në Kiev, tha për BBC-në se pasagjerëve në bordin e trenit të tij iu kërkua të përgatiteshin për evakuim, përpara se më pas t’u lejohej të vazhdonin udhëtimin.
“Në trenin ku ndodhesha unë, morëm urdhër të përgatiteshim për evakuim pasi ai ndaloi. Por pas disa minutash u informuam se rruga ishte e lirë dhe mund të vazhdonim,” tha ai.
Ky tren më pas mbërriti i sigurt në stacionin kufitar të Polonisë në Dorohusk.
Disa raportime kanë aluduar se Bildt ndodhej në të njëjtin tren me Johnson, por ish-kryeministri britanik nuk ka konfirmuar asnjë detaj.
Johnson shkroi në rrjetin social X: “Nuk e di se çfarë logjike e shfrenuar e shtyu Putinin të hidhte në erë një lokomotivë ukrainase të ndalur në kufirin polak këtë mëngjes.”
Ai tha se ky ishte “lloji i sulmit të rëndomtë dhe të pamend që ukrainasit po durojnë çdo ditë – madje edhe në hekurudhat civile” dhe u bëri thirrje aleatëve të Kievit t’u ofrojnë urgjentisht ukrainasve “mbrojtjen ajrore që u nevojitet”. /BBC/
