UBT News

Një ditë shumë e keqe për Putinin

Nga Frida Ghitis

Cila ishte dita më e keqe deri më tani për presidentin rus, Vladimir Putin, qëkur nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës vitin e kaluar? E pamundur të zgjidhni një, por e marta e 4 prillit të vitit 2023, duhet të renditet lartë në listë.

Ajo datë do të shënohet përgjithmonë në histori. Jo, jo vetëm për shkak të asaj që ndodhi në një sallë gjyqi në Manhatan, ku u përfshi një ish-president, por për shkak të diçkaje ndoshta më të rëndësishme, pavarësisht pranisë të paktë në titujt e lajmeve. Ishte dita kur Finlanda zyrtarisht u anëtarësua në NATO.

Kur anëtarët e NATO-s qëndruan solemnisht para selisë së Aleancës në Bruksel, duke parë ngritjen e flamurit bardheblu të Finlandës së bashku me 30 të tjerë, ceremonia shërbeu pothuajse si një deklaratë se lufta e Putinit në Ukrainë ka dështuar.

Në fund të fundit, Putin e justifikoi pushtimin e Ukrainës me dy argumente kryesore. Së pari, ai u përpoq të thoshte se Ukraina nuk është vend real dhe se është pjesë e Rusisë. Ky pretendim është hedhur poshtë jo vetëm nga historianët, por edhe nga mbrojtja e ashpër e popullit ukrainas ndaj kombit të tyre.

Së dyti, Putin argumentoi se qëllimi i tij ishte të parandalonte zgjerimin e NATO-s. Në këtë pikë, Putini jo vetëm që dështoi, por në fakt nxiti vetë zhvillimin që ai kërkoi të parandalonte. Tani kufiri i Rusisë me vendet e NATO-s është më shumë se dyfishuar në gjatësi, duke shtuar 830 milje shtesë kufiri me Finlandën.

Finlanda, ishte dikur pjesë e perandorisë ruse dhe për këtë arsye edhe është objektiv i argumenteve irredentiste të Putinit, do të lëvizë shpejt për të përforcuar atë kufi të gjatë. Kjo sepse kur Rusia e pushtoi Ukrainën, u dërgoi sinjal fqinjve të saj se thjesht atij nuk mund t’i besohet.

Sigurisht, Finlanda e dinte këtë tashmë. Ajo u sulmua nga Moska, ish-mjeshtri i saj perandorak, në Luftën e Dimrit të viteve 1939-1940. Finlandezët e mbrojtën vendin me fuqi mitike, por përfunduan duke humbur rreth 10% të territorit të tyre. Pas kësaj, Finlanda mendoi se mënyra më e mirë për t’u mbrojtur ishte ruajtja e neutralitetit të saj. Por Putini e kundërshtoi këtë nocion të tyre kur e sulmoi Ukrainën.

Të martën në Bruksel, presidenti finlandez, Sauli Niinisto deklaroi: “Ka marrë fund epoka e neutralitetit në historinë tonë – tani po fillon një epokë e re”.

Vlen të theksohet kjo çështje: ishte humbje e madhe sa për Rusinë edhe për Putinin. Aq e madhe saqë sekretari i Shtetit, Antony Blinken, tha se “kjo është e vetmja gjë për të cilën mund ta falënderojmë Putinin”. Pa Putinin dhe luftën e tij, Finlanda nuk do të ishte anëtare e NATO-s.

Lufta nuk e prodhoi vetëm atë që Putini tha në mënyrë eksplicite se donte ta parandalonte, gjithashtu shkaktoi të kundërtën e asaj që ai kishte kërkuar në mënyrë implicite. Ai me sa duket priste që NATO do të ndahej mbi atë se duhet të ndihmohet një shtet që s’është anëtar. Por siç ripotencoi presidenti Joe Biden, aleanca nuk ka qenë kurrë më e bashkuar. Përveç kësaj, rëndësia e tij, qëllimi i tij, është bërë më i qartë se sa ka qenë në dekada.

Pushtimi i Rusisë ka transformuar llogaritjen strategjike për çdo vend në Evropë. Ashtu siç tha për CNN Niinisto vitin e kaluar, ndarjet u bënë më të mprehta, ka pak vend për neutralitet.

“Pushtimi”, tha ai, “dëshmoi se Moska nuk i respekton vendet zyrtarisht neutrale”.

Dhe nëse shtetet e Bashkimit Evropian e shohin të nevojshme të mbajnë anë, është e çuditshme që askush nuk po vrapon saktësisht në krahët e Moskës.

Sapo Rusia i dërgoi tanket e veta në Ukrainë (pasi mohoi vazhdimisht pushtimin), sondazhet në Finlandë filluan të tregojnë një ndryshim të madh të ndjenjave. Në nëntor, pavarësisht – ose ndoshta për shkak të – paralajmërimeve nga Rusia dhe lëvizjeve kërcënuese ushtarake pranë kufirit finlandez, katër nga pesë finlandezë e mbështetën anëtarësimin në NATO.

Edhe Suedia, një vend që prej qindra vitesh ka ndjekur një politikë neutraliteti, ka aplikuar për anëtarësim në NATO. Tani për tani, Turqia dhe Hungaria po e bllokojnë anëtarësimin e saj. Megjithatë nuk kam dyshim, Suedia do të bashkohet përfundimisht.

Anëtarësimi i Finlandës nuk është vetëm simbolik. Vendi nuk është i dobët ushtarak. Të gjithë burrat janë të detyruar të shërbejnë në ushtri. Aftësitë e tyre në dimër janë të pakrahasueshme dhe arsenali i tyre është mbresëlënës.

Edhe Moska u detyrua të pranonte se diçka e rëndësishme kishte ndryshuar. Ministria e Jashtme e Rusisë tha se hyrja e Finlandës në NATO krijoi “një ndryshim thelbësor për situatën në Evropën Veriore”. Në realitet, ky riorganizim strategjik shkon përtej Evropës Veriore. Ajo e largon më shumë prej Rusisë ekuilibrin gjeopolitik.

Rusia paralajmëroi se mund të detyrohet të ndërmarrë “masa hakmarrëse”. Por me bllokimin e forcave të Putinit në Ukrainë si dhe me lodhjen e tyre, këto kërcënime janë më pak të frikshme sesa mund të ishin para se të pushtonte Ukrainën 14 muaj më parë, në një fushatë që supozohej të kishte sukses për pak ditë. Nëse ai mendonte se lufta do ta bënte atë më të fuqishëm para pjesës tjetër të botës, arriti të bëjë të kundërtën e qëllimit të vet.

Po atë ditë, udhëheqësit e NATO-s treguan se do ta ftojnë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të marrë pjesë në samitin e NATO-s gjatë muajit korrik, në Lituani. Gjithashtu dy liderë evropianë mbërritën këtë javë në Pekin për t’u takuar me aleatin e tij më të ngushtë, udhëheqësin e Kinës, Xi Jinping, ku tregtia dhe Ukraina do të jenë në krye të agjendës. Duke u përgatitur për udhëtimin e saj me presidentin francez, Emmanuel Macron, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e telefonoi Zelenskyn për t’i diskutuar planet.

Kina është bërë një mjet shpëtimi diplomatik dhe ekonomik për Putinin. Por Pekini ka nevojë për marrëdhënie të fuqishme me Evropën, dhe Von der Leyen paralajmëroi se “si Kina vazhdon të ndërveprojë në luftën e Putinit do të jetë një faktor përcaktues për marrëdhëniet BE-Kinë në vijimësi”.

Ajo e bëri deklaratën në ditën që shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se do të jetë “një ditë e mirë për sigurinë e Finlandës, për sigurinë nordike dhe për NATO-n në tërësi”. Ai do të mund ta kishte shtuar edhe këtë fjali: edhe një ditë shumë e keqe për Putinin./UBTNews/


Exit mobile version