UBT News

Një çelës për Shkodrën: Montohet skulptura monumentale ‘Çelësi Shqiptar’, vepra më e madhe e artit në Shqipëri

Bashkia e Shkodrës njoftoi për fillimin e montimit të veprës më të madhe të artit në Shqipëri, skulpturën monumentale “Çelësi Shqiptar”. Fitues në Konkursin Ndërkombëtar “Art në Hapësirën Publike”, vepra e krijuar nga artisti shqiptar Alfred Mirashi, i njohur ndryshe si Milot, shpallur nga ish-Ministria e Kulturës, po vendoset në hyrjen e qytetit të Shkodrës.

Kjo skulpturë monumentale, me një peshë prej 17 tonë, po vendoset në hyrjen e qytetit, vepër kjo që është e përkushtuar të përforcojë identitetin dhe vlerat shqiptare nëpërmjet artit.

Vepra është pasqyrë e rrugës së autorit, i cili nga një shqiptar i larguar në fillim të viteve ’90, ka arritur të bëhet një artist me ndikim ndërkombëtar, me çmime të fituara në mbarë botën. “Çelësi Shqiptar”, përfaqëson hapjen e portave dhe shembjen e kufijve, simbolizuar nga një çelës i madh që shkëlqen në hijen e Rozafës shekullore, shkruan Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“The Albanian Key, inspirohet nga Shqiponja, simboli i hyjnisë së krijimit, të natyrës dhe lirisë. Në të gjitha rrafshet e kuptimit dhe të shpjegimit, prirem të besoj dhe të dëshmoj se asnjë zotërues i qiellit dhe lartësisë nuk e rrok lirinë në përmasat e saj më të hyjshme se sa shqiponja, asnjë forcë shprehëse nuk mund të ngjitet aq lart ku ky shpend mitik ndan qiellin dhe lirinë me malet dhe njerëzit. Rrjedhimisht kjo vepër ka këtë shprehi, këtë shpjegim, këtë zbërthim, edhe pse arti në vetvete është ajo çfarë më arsye dhe perceptim artistik arrin të konceptojë dhe të kuptojë gjithkush”, përcjellet fjala e autorit nga Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ky është një moment që shënon rikthimin e Milotit në atdhe, pas suksesit të dy veprave të mëparshme në Napoli dhe në Kinë. Skulptura pritet të jetë një pikë referimi për vizitorët, duke shpërndarë mesazhin e lirisë dhe mundësisë për të gjithë.

Prej kohësh, “Çelësi Shqiptar” ka qenë në një prej piacave më historike të Napolit, duke tërhequr qindra mijëra turistë të kërkuar nga përmasat e jashtëzakonshme dhe simbolizmi i punuar nga artisti me origjinë shqiptare. /UBTNews/

©️D.E

Exit mobile version