Kampioni argjentinas, Lionel Messi, është gati të nisë një aventurë të re si producent televiziv, me një projekt që zhvillohet në bashkëpunim me familjen e tij. Kompania e tij e prodhimit, “525 Rosario”, do të fokusohet në krijimin dhe zhvillimin e përmbajtjes multimediale premium, e cila do të përfshijë filma, ngjarje sportive, aktivitete në komunitet, reklama dhe përmbajtje të lidhura me atletët nga e gjithë bota.
Messi dhe familja e tij do të kenë një rol aktiv si mbikëqyrës të drejtpërdrejtë të “525 Rosario”, me qëllimin për ta bërë atë një referencë të rëndësishme në sektorin e medias dhe komunikacionit. Ky projekt do të zhvillohet në bashkëpunim me Smuggler Entertainment, e cila ka qenë përgjegjëse për produksione të suksesshme si “Kupa e Botës së Messit: Ngritja e një legjende” dhe “Messi takon Amerikën”.
I emocionuar për këtë hap të ri, Messi tha: “Të kesh mundësinë për të zgjeruar projektin që krijuam me Smuggler Entertainment për të krijuar përmbajtje dhe përvoja në një shkallë globale është diçka që më motivon vërtet.”
Kompania “525 Rosario” ka zyra në Miami dhe Los Angeles, duke sinjalizuar një angazhim të fortë për të sjellë projekte të rëndësishme në skenën ndërkombëtare. Kjo iniciativë tregon se Messi po e shfrytëzon famën e tij për të eksploruar mundësi të reja përtej fushës së lojës./UBTNews/