Një adoleshent është dënuar me gjashtë javë burg për abuzim racor ndaj sulmuesit anglez Marcus Rashford në Twitter pas finales së Euro 2020.
Justin Lee Price, 19 vjeç, u dënua të mërkurën nga një gjykatë në Anglinë qendrore. Ai postoi një mesazh racist në Twitter më 11 korrik të vitit të kaluar pasi sulmuesi i Manchester United, Rashford humbi një penallti ndaj Italisë në finalen e Euro 2020 në Wembley.
Price fillimisht ishte përpjekur të shmangte zbulimin duke ndryshuar emrin e tij të përdoruesit në Twitter pas raportimit të postimit, thanë prokurorët.
Ai më pas e mohoi shkeljen në intervistën e tij të parë në polici pas arrestimit të tij, por më vonë pranoi se e publikoi postimin në Twitter.
Prokurori i lartë, Mark Johnson tha se “Price vuri në shënjestër një futbollist bazuar në ngjyrën e lëkurës së tij dhe veprimi i tij ishte qartësisht racist dhe një krim urrejtjeje”.
“Shpresoj se ky rast dërgon mesazhin se ne nuk do të tolerojmë racizmin dhe shkelësit do të ndiqen penalisht në masën e plotë të ligjit”.
Shokët e skuadrës së Rashfordit në Angli, Bukayo Saka dhe Jadon Sancho u shënjestruan gjithashtu në internet pas humbjes së penalltisë së tyre në finalen e Euro 2020, duke çuar në thirrje të përhapura për një shtypje të abuzimit racist në mediat sociale./UBTNews/