Niveli i vetëvrasjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u rrit vitin e kaluar për dallim nga vitet e kaluara, sipas të dhënave të përkohshme nga Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Të paktën 49 mijë e 449 persona kanë humbur jetën për shkak të vetëlëndimit të qëllimshëm në vitin 2022 – më shumë se 14 vdekje për çdo 100 mijë njerëz. Burrat kanë rreth katër herë më shumë gjasa sesa gratë të kryejnë vetëvrasje, dhe normat janë më të larta te burrat e moshuar. Por shkalla e vetëvrasjeve u rrit dy herë më shumë te gratë në vitin 2022, me rritje veçanërisht domethënëse midis grave të bardha dhe atyre të moshës 25 deri në 34 vjeç.
Përqindjet e vetëvrasjeve janë rritur në SHBA gjatë dekadave të fundit. Në vitin 2021, kirurgu i përgjithshëm amerikan bëri thirrje për zbatimin e një strategjie kombëtare parandaluese dhe lëshoi një këshillë të përqendruar në mbrojtjen e shëndetit mendor të të rinjve mes një rritjeje të shkallës së vetëvrasjeve dhe “rritjes alarmante” në sfidat e shëndetit mendor midis të rinjve.
Pavarësisht rritjes së përgjithshme, të dhënat e përkohshme nga viti 2022 tregojnë shenja përmirësimi të normave midis fëmijëve dhe adoleshentëve. Shkalla e vetëvrasjeve te fëmijët e moshës 10 deri në 14 vjeç ra me 18% në vitin 2022, në rreth dy vdekje për çdo 100 mijë fëmijë, dhe shkalla e atyre të moshës 15 deri në 24 vjeç ra 9% në rreth 14 vdekje për çdo 100 mijë njerëz./UBTNews/