Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka thënë se ky subjekt politik e ka ndarë mendjen e vet sa i përket çështjes së presidentit të vendit.
Nitaj ka thënë se AAK-ja e ka vlerësuar Ramush Haradinajn si personin më të përshtatshëm dhe më unifikues për president në këtë kohë.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Nitaj ka pohuar se tash “mbetet t’i bindim të tjerët për mbështetje se propozimi është serioz dhe i duhuri”.
Ai ka thënë se deri më tash në Qeverinë e Kosovës ka pasur një klimë konstruktive bashkëpunimi.
Nitaj ka thënë se partnerët e koalicionit qeverisës kanë pasur disa dallime në qëndrime vetëm sa i përket mënyrës se si ka filluar të organizohet e të rrjedhë procesi i dialogut me Serbinë.
“Epoka e re”: Z. Nitaj, cili është vlerësimi juaj si nënkryetar i AAK-së për këtë koalicion qeverisës?
Nitaj: E kam vënë re tash e sa kohë një interesim të jashtëzakonshëm të politikës e të medias, për të parë nëse po krisë koalicioni. Një pjesë u lë përshtypje e u interesojnë vetëm mospajtimet e kundërshtimet. Kjo nuk do të ishte aspak e pazakontë sikur të mos vërehej edhe ana pozitive e mospajtimeve e, pse jo, edhe e kundërshtive brenda koalicionit, nëse për synim kanë gjetjen e zgjidhjeve më të mirë. Në qeveritë demokratike ka edhe zëra ndryshe, edhe votë kundër, edhe përplasje argumentesh, edhe mospajtime. Në Qeverinë e Kosovës, të paktën deri më tash, ka pasur një klimë konstruktive bashkëpunimi. Kemi pasur disa dallime në qëndrime vetëm për sa i përket mënyrës se si ka filluar të organizohet e të rrjedhë procesi i dialogut. Por, edhe këto aspekte po diskutohen hapur e pa dorëza dhe kjo është pozitive, vlerësoj unë.
“Epoka e re”: A është i nevojshëm zgjerimi i këtij koalicioni, sepse kohët e fundit është folur për mundësinë e inkuadrimit të PDK-së në këtë koalicion?
Nitaj: Ne kemi marrëveshje koalicioni me LDK-në. Kjo e fundit e ka marrë mandatin për krijimin e qeverisë. Ajo duhet ta vlerësojë nëse është i nevojshëm zgjerimi i koalicionit ose jo, e jo Aleanca. Tani, nëse ndodh zgjerimi i koalicionit, me këdo qoftë tjetër, dhe nëse kjo nuk nënkupton shkeljen e parimeve tona mbi të cilat e kemi ndërtuar koalicionin, ne nuk do të kishim asnjë arsye për ta kundërshtuar.
“Epoka e re”: Marrëveshja e Uashingtonit ka “përplasur” LDK-në dhe AAK-në sa i përket çështjes së Liqenit të Ujmanit, ku kemi dy deklarata të ndryshme. Njëra palë thotë se pati ndërhyrje në marrëveshje (AAK-ja) e tjetra palë (LDK-ja) thotë se marrëveshja nuk është prekur në këtë pikë.
Nitaj: Unë këtë çështje e konsideroj të tejkaluar tashmë. Secili e ka pasur të vërtetën e tij dhe një ditë do të merret vesh përfundimisht se kush e ka ndërtuar narrativën e së vërtetës me hile. Opinionit publik në Kosovë i janë shpërfaqur dy versione të ndryshme dhe e vërteta absolute ndoshta do të mund të merret vesh, nëse ndonjë ditë publikohen farë kabllogramesh, por e thashë kjo tashmë s’ka rëndësi. E rëndësishme është që Kosova të mos gjendet edhe një herë tjetër në një situatë të ngjashme, ku për çështje jetike flasim në orët e fundit, sepse pasojat për vendin mund të jenë të pariparueshme. Jemi tepër të brishtë për të mos u pajtuar ndër vete.
“Epoka e re”: Këto “përplasje” LDK – AAK a mund ta rrezikojnë koalicionin qeverisës?
Nitaj: Unë dua të besoj në arsyen, racionalitetin dhe përgjegjësinë e liderëve të këtij koalicioni. Mospajtimet janë kollaj të kapërcyeshme dhe nëse s’ka motive të tjera, nuk shoh se kjo mund ta rrezikojë koalicionin. Më ka ra këto ditë të dëgjoj lloj-lloj analizash e opinionesh, për njëfarë nevoje të Aleancës për protagonizëm në procesin e dialogut. Unë ju garantoj se është e kundërta. Aleanca edhe vetë kur e ka drejtuar qeverinë, nuk ka vrapuar pas tryezave të dialogut. Ajo që kërkojmë ne është që gjithçka të jetë e koordinuar, paraprakisht e diskutuar, e harmonizuar dhe bashkërisht e negociuar. Ne jemi partnerë në këtë qeveri dhe është krejt e natyrshme të jemi pjesë, edhe e punës, por edhe e përgjegjësive në këtë proces, që është më i rëndësishmi që prej shpalljes së pavarësisë. Unë po shpresoj ta shoh edhe përfshirjen e të tjerëve që nuk janë pjesë e qeverisë në dialog.
“Epoka e re”: Cili është opinioni juaj për marrëveshjen e Uashingtonit?
Nitaj: Është një marrëveshje e mirë sepse është arritur në Shtëpinë e Bardhë. Është një marrëveshje ku Kosovës i hapet një perspektivë ekonomike. Natyrisht ajo ka edhe një peshë politike sepse ka prodhuar një njohje tejet të rëndësishme për Kosovën nga Izraeli dhe sikur e ka rikthyer Kosovën në vëmendjen ndërkombëtare. Nuk është krejt sa kemi pritur por, sidoqoftë, ne në Aleancë kemi besuar se në momentin kur pala serbe ka kërkuar heqjen e pikës për njohje të ndërsjellë, delegacioni i Kosovës në Uashington ka mundur të kishte kërkuar, pa asnjë hezitim, heqjen e pikës për Ujmanin, e cila, megjithëse siç është përpiluar në fund, nuk e paragjykon rezultatin përfundimtar, prapë mbetet me ilet.