NISMA Socialdemokrate ka vendosur të mbështesë kandidatin e PDK-së, Shaqir Totaj, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 14 nëntor.
“NISMA në Prizren edhe në të kaluarën i ka shërbyer ndryshimit, ndryshim që për fat të keq para katër vjetësh ka qenë më shumë deklarativ se përmbajtësor, e për të cilën edhe qytetarët u bindën se qeverisja e keqe e viteve të fundit duhet të gjykohet me votë, për të cilën strukturat tona të degës dhe nëndegëve, si dhe gjithë aktivistët dhe simpatizantët kudo që veprojnë në komunën e Prizrenit, do të kontribuojnë për ndryshim që me të drejtë e presin qytetarët e Prizrenit”, thuhet në njoftim.
Mbështetja për Shaqir Totajn më 14 nëntor, është edhe mbështetje e projekteve të prezantuara gjatë fushatës nga kryetari i NISMA në Prizren, Zafir Berisha.
Totaj dhe Haskuka morën më së shumti vota në raundin e parë dhe do të garojnë në balotazh për të parin e komunës për katër vjetët e ardhshme.