Në një atmosferë plot emocion dhe pritshmëri, u mbajt konferenca për shtyp për shfaqjen e parë të festivalit “Muhammad Ali, the one and only” nga Bosnjë e Hercegovina, e cila hapi edicionin e këtij viti të Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha” – PITF 2024.
Në këtë konferencë morën pjesë drejtoresha artistike e festivalit, Doruntina Alshiqi, koordinatorja e festivalit, Valentina Cenaj, si dhe regjisori i shfaqjes, Dino Mustafiq, bashkë me aktorët Vedrana Bozhinoviq, Ermin Sijamija dhe Dino Bajroviq. Alshiqi uroi me zemërim ekipin nga Bosnja e Hercegovina dhe theksoi se përmes këtij festivali, në edicionin e tij të tetë, synohet që ekipet teatrale nga të gjitha anët e botës të sjellin në Kosovë shfaqjet e tyre më të mira.
Regjisori Dino Mustafiq shprehu gëzimin e tij për pjesëmarrjen në festival, duke e përshëndetur të pranishmit në emër të Teatrit Kombëtar të Sarajevës. Ai po ashtu nënvizoi rëndësinë e përmbajtjes së shfaqjes së tyre, duke theksuar lidhjen e thellë mes familjes dhe dashurisë. Aktorët gjithashtu shprehën entuziazmin e tyre për shfaqjen, duke premtuar një përformancë të mrekullueshme për publikun, ndërsa sa i përket çmimit, u shprehën se do të ishte një nder për ta.
Kurti në hapjen e Edicionit të Tetë të “Prishtina International Theatre Festival 2024”
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në ceremoninë hapëse të edicionit të tetë të PITF, festivalit ndërkombëtar të teatrit në Prishtinë “Burbuqe Berisha”. Kurti u shpreh se festivali PITF, edhe në këtë edicion, shërben si një hapësirë e rëndësishme për zhvillimin e kapaciteteve artistike dhe teatrore në Kosovë.
“Puna juaj artistike, krahas shembujve të rrjetëzimit dhe modeleve të bashkëpunimit, e vulos Kosovën si shtet kontribuues, e jo vetëm pjesëmarrës. Prania e larmishme në festivalin tuaj tregon që Republika jonë siç ka qenë edhe mbetet, mikpritëse për punët e mira dhe për miqtë tanë që besojnë thellësisht në vlerat sociale e kulturore të artit dhe në kulturën si shprehje të demokracisë e të shoqërisë”, u shpreh Kurti.
Ai gjithashtu theksoi se arti dhe politika janë dy sfera të ndryshme, por që nuk mund të jenë të ndara dhe kjo është mësuar nga historia nëpër periudhat e saj. Kurti shpjegoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të fuqizuar infrastrukturën teatrore dhe për të mbështetur artin në nivel qendror dhe lokal.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të jetë pranë nismave artistike që e përfaqësojnë fuqinë shpirtërore të Kosovës, si kontribuuese e denjë dhe krijuese në Ballkan, Evropë e më gjerë”, deklaroi ai.
Në kuadër të kësaj ceremonie, kryeministri gjithashtu vizitoi ekspozitën e fotografisë së Arton Humollit, me titullin “AJO” (“HER”), e cila ka fituar disa çmime ndërkombëtare./UBTNews/