UBT News

Nisin punimet për rindërtimin e rrugës Kijevë-Malishevë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, mori pjesë sot në ceremoninë e nisjes së punimeve për rindërtimin e rrugës rajonale Kijevë-Malishevë.

Ky projekt, i cili përfshin një gjatësi prej mbi 11 kilometrash, parashihet të jetë një investim që do të transformojë qarkullimin për banorët e Malishevës, zonës së Llapushës dhe më gjerë.

Gjatë perurimit të nisjes së punimeve, Kurti theksoi se ky segment është jetik pasi lidh drejtpërdrejt pesë fshatra dhe përdoret rregullisht nga banorët e 18 fshatrave të tjerë, duke i dhënë fund praktikës së deritashme të “arnimeve” të përkohshme të rrugës.

Përveç lehtësimit të qarkullimit të përditshëm, investimi synon të zhbllokojë potencialin turistik të zonës, veçanërisht duke u shërbyer vizitorëve që shkojnë drejt Ujëvarave të Mirushës.

Punimet, të cilat pritet të përfundojnë brenda 225 ditëve, do të përfshijnë rindërtim të plotë nga baza, asfaltim të ri, ndërtim të trotuareve, stacione të autobusëve dhe sinjalizim modern. Gjithashtu, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet kanalizimit të ujërave atmosferikë për të garantuar qëndrueshmërinë afatgjatë të rrugës.

Krahas këtij projekti, kryeministri njoftoi se qeveria po financon edhe rrugën nga Llapqeva deri te Ujëvarat me 700 mijë euro, si dhe është në proces tenderimi për rrugën Malishevë-Arllat në vlerë prej 2.6 milionë eurosh. Në total, vlera e investimeve rrugore në Malishevë brenda kësaj periudhe arrin në mbi 5.6 milionë euro, veprime këto që Kurti i cilësoi si përmbushje të zotimeve programore dhe shërbim konkret ndaj qytetarëve.

 

Exit mobile version