Pas shumë përpjekjeve dhe angazhimit të vazhdueshëm, në kryeqytet nisën punimet për restaurimin dhe konservimin e Shtëpisë-Shkollë të familjes Hertica. Ky projekt jo vetëm që rikthen një objekt historik, por përçon edhe mesazhin e rezistencës qytetare përmes arsimit gjatë kohës kur mësimi në Kosovë ishte i ndaluar.
Shtëpia-shkollë e familjes Hertica ka qenë një hapësirë ku dija ruhej dhe transmetohej si formë mbijetese dhe dinjiteti. Muzeu synon të ruajë këtë trashëgimi të jashtëzakonshme dhe ta bëjë të njohur tek brezat e rinj dhe komuniteti ndërkombëtar.
Ky projekt është një dëshmi për guximin dhe sakrificën e atyre që e kuptuan arsimin jo vetëm si proces mësimor, por si akt politik, shoqëror dhe ekzistencial.
Siç u theksua, “aty ku dija mbrohet edhe në kushte të pamundura, aty fillon liria”.
