UBT News

​Përurohet Unaza e Vogël në Shtime, kurse nisin punimet në rrugën Vojnoc-Tërrn

Në Shtime është përuruar në mënyrë solemne Unazën e vogël në rrugën “12 qershori”, projekt ky i Ministrisë së Infrastrukturës në vlerë rreth gjysmë milionë euro. Në ceremoni kjo rrugë me trotuar e ndriçim publik, u përmend ndër më modernet në komunën e Shtimes.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se kjo rrugë do të lehtësojë qarkullimin e banorëve të kësaj ane dhe më gjerë.

“Shpesh vijmë e kthehemi në shtime për shkak të investimeve të vlefshme, të cilat po i bëjmë edhe si Qeveri e Republikës së Kosovës, por edhe si komunë e Shtimes. Rrugë në gjatësi 375 metra, e cila e lidh rrugën ‘William Walker’ me atë “12 Qershori”, është rrugë me ndriçim publik dhe gjithashtu është rrugë, e cila rrit jo vetëm investimin në komunën e Shtimes, por në të njëjtën kohë, në mënyrë të prekshme edhe kushtet e jetesës e të qarkullimit për banorët këtu. Kostoja e gjithmbarshme ka qenë afro gjysmë milioni euro”, tha Kurti.

Ndryshe, kryetari Qemajl Aliu ka paralajmëruar se gjatë tridhjetë ditëve të ardhshme do të përurohen edhe tetë projekte të ngjashme në Komunën e Shtimes, të cilat po shkojnë drejt finalizimit të tyre.

Kurse në rrugën “Ibrahim Shabani” në Vojnoc të Shtimes, dy kilometra e gjatë, kanë filluar punimet, investim ky i Ministrisë se Mjedisit në vlerë 420 mijë euro, përmes së cilës do të ndihmohen qytetarët që të lidhen më lehtë me Lipjanin, Shtimen dhe Ferizajn.

Kryetari i Shtimes Qemajl Aliu tha se rregullimi i kësaj rruge ka qenë kërkesë e banorëve të kësaj ane tash e sa kohë dhe se punimet do të përfundojnë në fillim të muajit tetor.

“Fshati Vojnoc, hir së vërtetës në të kaluarën nuk ka qenë shumë i respektuar në aspektin e investimeve. Edhe unë e kam kënaqësinë dhe jam i hapur me qenë para miqve të mi, para bashkëvendësve të mi për të përuruar fillimin e një investimi tjetër të radhës, një rrugë ku është investuar menjëherë pas luftës dhe nuk është mirëmbajtur asnjëherë në një rrugë të demoluar. Ka qenë kërkesë e banorëve të fshatit Vojnoc, po edhe fshatrave përreth. Të mos harrojmë, kjo rrugë e lidh qytetin e Lipjanit, Shtimes dhe Ferizajt, përkatësisht fshatin Grackë, Vojnoc dhe fshatin Tërrn. Projekti kushton diku 420 mijë euro, mbi dy kilometra rrugë. Sipas operatorit kjo rrugë mund të përfundojë diku nga fillimi i tetorit”, tha Aliu.

 

Exit mobile version