UBT News

Nisin patrullimet e përbashkëta mes Policisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për sezonin veror

Nga sot, 1 korrik 2026, kanë nisur zyrtarisht patrullimet e përbashkëta rrugore ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit Shqiptar në territorin e Shqipërisë. Ky angazhim vjen në kuadër të bashkëpunimit tradicional ndërinstitucional, me synim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe ofrimin e një shërbimi më efikas për të gjithë qytetarët.

Këto patrullime vijnë në një moment kyç, pikërisht gjatë sezonit veror kur fluksi i qytetarëve që udhëtojnë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë rritet ndjeshëm. Përmes këtij koordinimi të ngushtë, dy policitë synojnë të rrisin sigurinë publike, të parandalojnë aksidentet rrugore dhe të sigurojnë respektimin e plotë të rregullave të qarkullimit.

“Policia e Kosovës vlerëson lart bashkëpunimin me Policinë e Shtetit Shqiptar dhe mbetet e përkushtuar në zhvillimin e iniciativave të përbashkëta që kontribuojnë në sigurinë e qytetarëve të të dy vendeve”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës.

Në fund të deklaratës, institucionet e rendit u kanë bërë thirrje të gjithë shoferëve dhe pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit, t’u përmbahen shenjave të komunikacionit dhe të kontribuojnë në krijimin e një ambienti sa më të sigurt në rrugë.

Exit mobile version