UBT News

Nisi protesta në Pejë për vrasjen e Arlinda Zekajt, ngjyrosen me të kuqe këpucët e policëve

Ka nisur në Pejë protesta gjithëpopullore kundër vrasjes së grave, në shenjë revolte pas rastit të rëndë të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë.

Masa e mbledhur ka shprehur pakënaqësi të thellë ndaj dështimeve institucionale, duke kërkuar drejtësi të menjëhershme dhe llogaridhënie. Në një akt simbolik revolte, protestuesit kanë ngjyrosur me ngjyrë të kuqe këpucët e zyrtarëve policorë që po siguronin ngjarjen, teksa në kor brohorisnin thirrjet “Marre”.

Marshimi i protestuesve do të përshkojë të gjitha institucionet përgjegjëse në qytet, duke u ndalur para Komunës së Pejës, Qendrës për Punë Sociale, Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore.

Kjo protestë në Pejë është pjesë e valës së reagimeve qytetare që po zhvillohen në të gjithë Kosovën, me kërkesën e prerë për siguri, mbrojtje institucionalisht të garantuar dhe ndëshkim të përgjegjësve për mosveprimet që çuan në këtë tragjedi. /E.A/

Exit mobile version