Nga sot ka nisur votimi me postë për shtetasit e Kosovës që janë regjistruar paraprakisht për të marrë pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rreth 105 mijë qytetarë pritet të votojnë përmes postës në këto zgjedhje.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri të mërkurën janë përgatitur rreth 75 mijë pako me fletëvotime, ndërsa rreth 30 mijë të tjera janë dërguar të enjten.
Çdo pako përmban fletëvotimin, zarfin e fshehtësisë, zarfin kthyes dhe udhëzuesin për procedurën e votimit. Sipas KQZ-së, secila dërgesë ka numër gjurmimi, në mënyrë që votuesit të mund të përcjellin vendndodhjen e pakos së tyre.
Votimi përmes postës do të zgjasë deri më 6 qershor. KQZ u ka bërë thirrje votuesve që t’i dërgojnë me kohë fletëvotimet, për të shmangur vonesat në arritjen e tyre për numërim në Kosovë.
Për këtë proces, KQZ ka vendosur kuti postare në 22 shtete të ndryshme, përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, SHBA-në, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shqipërinë.
