Në Kosovë sot shënohet dita e parë e fillimit të procesit mësimor për vitin 2025-2026, për të gjithë nxënësit në mbarë vendin.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka shprehur shqetësim të thellë për situatën, duke theksuar se problemi më i madh me të cilin mund të përballen nxënësit dhe mësimdhënësit është mungesa e teksteve shkollore.
“Halli më i madh do të jetë tekst shkollore. Kemi frikë se do të përsëritet gjendja e dy viteve të mëparshme, kur ka pasë vonesa me një muaj e më shumë,” ka deklaruar Jasharaj.
Ndërkaq, disa ditë para Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar opinionin publik se përmes platformës e-Kosova, janë pranuar gjithsej 183.226 mijë aplikime për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore dhe se të gjitha aplikimet janë verifikuar nga koordinatorët e shkollave dhe DKA-të.
Brenda gjashtë ditëve të para të hapjes së aplikimit janë pranuar gjithsej 144,337 aplikime përmes platformës e-Kosova dhe nuk është pranuar asnjë ankesë nga prindërit.
Ky është viti i tretë radhazi që Ministria e Arsimit aplikon këtë formë të subvencionimit.
Përndryshe Jasharaj gjithashtu ka sqaruar se SBASHK-u nuk ka planifikuar ndonjë grevë për fillim të vitit shkollor, për shkak të mosfunksionimit të institucioneve shtetërore.