Japonia ka hapur qendrat e para të vaksinimit masiv të hënën, në përpjekje për ta përshpejtuar programin e vaksinimit vetëm dy muaj para fillimit të Lojërave Olimpike në Tokio.
Dy qendrat ushtarake në Tokio dhe Osaka do të administrojnë mijëra vaksina, fillimisht te banorët më të moshuar, teksa vendi po përballet me valën e katërt të virusit.
Vetëm 2% e popullsisë 125 milionëshe të Japonisë është vaksinuar plotësisht deri më tani – krahasuar me rreth 40% në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 15% në Francë.
Qendra në Tokio synon të arrijë deri në 10 mijë vaksinime brenda dite, teksa ajo në Osaka deri në 5 mijë. Të dy qendrat e vaksinimit po përdorin vaksinën Moderna, e cila u aprovua për përdorim në Japoni të premten, krahas asaj AstraZeneca. Por kjo e fundit nuk do të përdoret menjëherë për shkak të shqetësimeve lidhur me mpiksjen e rrallë të gjakut./UBTNews