UBT News

​Nis transformimi 12 milionë euro i stadiumit “Përparim Thaçi” në Prizren

Stadiumi “Përparim Thaçi” në Prizren ka hyrë në fazën e transformimit të plotë, pasi u nënshkrua kontrata për investimin prej mbi 12 milionë eurosh, ndërsa punët përgatitore tashmë kanë nisur.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se projekti parasheh zgjerimin e tribunave ekzistuese lindje dhe perëndim me tribuna të reja në veri dhe jug, duke e shndërruar objektin në një ndër arenat më moderne sportive në vend.

Sipas njoftimit të tij, stadiumi i rinovuar do të ketë kapacitet prej afro 7800 ulësesh, duke krijuar kushte më të mira për tifozët besnikë dhe adhuruesit e shumtë të futbollit, të cilët do të mund të mbështesin KF Lirinë në një ambient bashkëkohor dhe të sigurt.

Ky projekt është pjesë e investimeve të mëdha të qeverisë në infrastrukturën sportive, ku në total janë duke u dedikuar mbi 200 milionë euro për stadiume të futbollit në gjithë territorin e Republikës.

Kurti theksoi se këto investime synojnë ta vendosin Kosovën në krye të rajonit për nga infrastruktura sportive, duke krijuar kushte më të mira për klubet, sportistët dhe tifozët, si dhe duke e ngritur nivelin e zhvillimit të futbollit vendas.

Stadiumi i Prizrenit pritet të shndërrohet në një pikë të rëndësishme sportive për qytetin dhe për vendin./S.K/KP/

Exit mobile version