Sot nis zyrtarisht Kupa e Botës 2026, turneu më i madh i organizuar ndonjëherë nga FIFA, me ndeshjen hapëse ndërmjet Meksikës dhe Afrikës së Jugut në stadiumin legjendar “Azteca” në Mexico City.
Botërori i këtij viti shënon një kapitull të ri në historinë e futbollit, pasi për herë të parë marrin pjesë 48 përfaqësuese, krahasuar me 32 sa ishin në edicionet e kaluara. Turneu do të zhvillohet në tri shtete nikoqire, Meksikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada , dhe do të përfshijë gjithsej 104 ndeshje deri në finalen e 19 korrikut.
Ndeshja hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut është një përsëritje e sfidës së parë të Botërorit 2010, e cila kishte përfunduar në barazim 1:1. Këtë herë, meksikanët do të kenë avantazhin e terrenit vendas dhe synojnë ta nisin me fitore aventurën e tyre në Grupin A.
Në Grupin A bëjnë pjesë gjithashtu Koreja e Jugut dhe Çekia, të cilat do të përballen po ashtu në ditën e parë të garave. Formati i ri parashikon që dy skuadrat e para të secilit grup, si dhe tetë ekipet më të mira të vendeve të treta, të avancojnë në fazën eliminatore.
Përveç aspektit sportiv, ceremonia hapëse pritet të sjellë një spektakël të madh artistik para fillimit të ndeshjes, duke shënuar startin e një muaji futbolli që do të mbajë të fokusuar mbarë botën.
Me 48 kombëtare, 104 ndeshje dhe tri vende organizatore, Botërori 2026 pritet të jetë edicioni më i madh dhe më spektakolar në historinë e Kupës së Botës.
D.L
